Nën organizimin e përbashkët mes Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) dhe mbështetjen e OSBE-së u mbajt takimi i Kolegjiumit të Menaxherëve të Burimeve Njerëzore të Komunave.
Pas fjalëve hyrëse të përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse, u diskutua lidhur me shqyrtimin e ankesave nga KPMSHCK, me theks të veçantë në procedurat e trajtimit të ankesave, afatet për shqyrtimin dhe vendosjen e tyre, si dhe çështjet që paraqiten gjatë zbatimit të këtyre procedurave.
Në vazhdim u trajtua edhe tema e formimit, përbërjes dhe funksionimit të komisioneve për pozitat drejtuese, ku u dhanë sqarime lidhur me procedurat për themelimin dhe funksionimin e komisioneve dhe përgjegjësitë e tyre në procesin e rekrutimit.
Gjatë diskutimit të hapur, Menaxherët Komunalë të Burimeve Njerëzore paraqitën sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen në praktikë gjatë zbatimit të procedurave të rekrutimit, trajtimit të ankesave dhe formimit të komisioneve për pozitat drejtuese.
U ngritën çështje konkrete lidhur me interpretimin dhe zbatimin e procedurave dhe afateve, si dhe me nevojën për sqarime më të qarta dhe praktika të unifikuara.
Përfaqësuesit e KPMSHCK-së dhanë sqarimet përkatëse, se kanë mungesë stafi dhe po trajtojnë numër të madh të lëndëve me një numër të vogël të bashkëpunëtorëve.
Takimi shërbeu gjithashtu për shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve dhe identifikimin e çështjeve që kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të mëtejshëm, me qëllim të përmirësimit të zbatimit të procedurave në shërbimin civil në nivel komunal.
Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson lartë bashkëpunimin institucional dhe gatishmërinë e secilit për të pasur koordinim mes nivelit qendror dhe lokal.
P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.


