Historiku
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është themeluar në vitin 2001, pas zgjedhjeve të para demokratike lokale të pasluftës në Kosovë. Themelimi i AKK-së mbështetet në nenin 10 të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale të Këshillit të Evropës (e drejta e asociimit). AKK është organizatë jofitimprurëse me personalitet juridik, që përfaqëson interesat e përgjithshme të anëtarëve të saj – autoriteteve lokale në Kosovë. Autoritetet lokale anëtarësohen në Asociacion pas vendimit të Kuvendit Komunal. AKK është e përkushtuar që në Kosovë të zbatohen parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
Misioni
Misioni i Asociacionit të Komunave të Kosovës është krijimi i një qeverisjeje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike, përmes performancës së lartë në ofrimin e shërbimeve sipas nevojave të qytetarëve.
Vizioni
Që të krijohet një qeveri lokale efikase, e qëndrueshme dhe demokratike
Objektivat
- Përmirësimi i strukturave legjislative të vetëqeverisjes, i efikasitetit praktik dhe i zbatimit të tyre;
- Nxitja e decentralizimit të pushtetit përmes mbështetjes praktike dhe bashkëpunimit të barabartë ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale;
- Zgjerimi i mbështetjes publike për demokracinë lokale, duke përfshirë qytetarët dhe komunitetin e biznesit, si dhe rritja e besimit dhe e gatishmërisë së tyre për të marrë pjesë në qeverisjen lokale;
- Rritja e kompetencave, e njohurive dhe e kapaciteteve komunale për shërbime lokale cilësore dhe efektive;
- Gjetja e burimeve alternative financiare për komunat;
- Dëshmimi se komunat e Kosovës janë partnere të barabarta dhe konkurruese me autoritetet lokale në Evropë dhe në botë;
- Mbështetja e zhvillimit të Asociacionit në bashkëpunim me qarqe të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.