U mbajt takimi i Kolegjiumit të Bujqësisë, ku përfaqësuesit e komunave diskutuan çështjet kryesore që lidhen me mbështetjen e fermerëve, kompensimin e dëmeve dhe bashkëpunimin ndërmjet komunave dhe institucioneve qendrore.
Në fokus të diskutimit ishte kompensimi i dëmeve në bujqësi.
U theksua se komunat kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga Zyra e Kryeministrit, ndërsa dëmet e evidentuara që nga viti 2023 ende nuk janë kompensuar.
U evidentua mungesa e koordinimit të mjaftueshëm ndërmjet komunave dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), si dhe nevoja për qartësimin e përgjegjësive dhe procedurave për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve, përfshirë certifikimin dhe njohjen e vlerësimeve të zyrtarëve komunalë.
Në këtë drejtim, Kolegjiumi i Bujqësisë shprehu gatishmërinë për një takim të përbashkët me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunave dhe AKK-së, për të diskutuar nga afër problemet aktuale në sektor, veçanërisht çështjen e kompensimit të dëmeve, koordinimin ndërinstitucional dhe çështjet e tjera të ngritura nga komunat, si dhe për të përcaktuar hapa konkretë për tejkalimin e situatës së krijuar.
U ngrit gjithashtu çështja e angazhimit shtesë të zyrtarëve komunalë të bujqësisë në proceset e MBPZhR-së.
U theksua se ky angazhim duhet të rishikohet dhe të vlerësohet, duke qartësuar detyrat, përgjegjësitë dhe mënyrën e trajtimit të punës shtesë të kryer në funksion të proceseve të Ministrisë.
Në lidhje me përballimin e dëmeve në të ardhmen, u rikujtua se AKK-ja ka adresuar më herët kërkesë te Qeveria dhe Kryeministri për krijimin e një fondi emergjent, duke marrë parasysh se komunat dhe fermerët po përballen çdo vit me ngjarje ekstreme dhe dëme në sektorin e bujqësisë.
Në fund të takimit u trajtua mbështetja e grave fermere përmes masave afirmative në skemat komunale të granteve dhe subvencioneve.
Pas prezantimit të gjetjeve të analizës ligjore, u kërkua që komunat të ndërmarrin hapa konkretë për zbatimin e rekomandimeve, përmes rishikimit të rregulloreve komunale, kritereve të përfitimit dhe sistemit të pikëzimit, me qëllim të krijimit të mundësive më të qarta për përfitimin e grave fermere nga grantet komunale.
P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.


