Shtëpia e Komunave
Mars 29, 2023

KOLEGJIUMI PËR DIASPORË VAZHDON ME MPJD-NË, ANGAZHIMIN E PËRBASHKËT TË AKTIVITETEVE QË NDËRLIDHEN ME PËRFSHIRJEN E DIASPORËS NË NIVEL LOKAL

Si pjesë e bashkëpunimit në mes të Asociacionit të Komunave të Kosovës(AKK) me Ministrinë e Punëve të Jashtme e Diasporës(MPJD),  u zhvillua takimi i radhës  së Kolegjiumit për Diasporë në adresimin e çështjeve të diasporës në Komunat e Republikës së Kosovës. Ky aktivitet është pjesë e marrëveshjes për hapjen e kanalit komunikues me MPJD në përfshirjen e komunave në kuadër të programeve dhe aktiviteteve për dhe me diasporën.

Me prezencën e tyre zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, së bashku me zëvendësministrin për Zhvillim Rajonal, z. Agon Dobruna, treguan gatishmërinë për angazhimin e përbashkët me fokus bashkëpunimin dhe zbatimin e programeve dhe aktiviteteve që ndërlidhen me angazhimin e diasporës në nivel lokal.

Në këtë takim, Zëvendësministrja Gashi bëri prezantimin e aktiviteteve të MPJD-së me Diasporën gjatë vitit 2023, duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes midis Komunave dhe diasporës për zhvillimin e Kosovës. Ajo gjithashtu u shpreh se ky Kolegjium do të jetë një forum i rëndësishëm për të trajtuar çështje që ndërlidhen me zbatimin e politikave për diasporën në nivelin lokal.

Gjatë diskutimeve, u trajtuan mundësitë për të ndërlidhur platformën e nivelit qendror, “Shijo Kosovën”, me nivelin lokal, si dhe bashkëpunimi në kalendarin e përbashkët për aktivitete gjatë verës. Po ashtu si pjesë e këtij programi ishte edhe informata për thirrje publike, për projekt propozime lidhur me përfshirjen e të rinjve nga diaspora.

Kjo thirrje synon ta fuqizojë lidhjen e të rinjve nga diaspora me vendin dhe me të rinjtë e Kosovës, si dhe të kultivojë identitetin e tyre kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor. Organizatat joqeveritare duhet të bazohen në politikat programore të MPJD-së, në  përputhje me objektivat e përcaktuar në planin vjetor të mbështetjes financiare publike për organizatat joqeveritare 2023.

Angazhimi dhe puna e përbashkët do të vazhdojë edhe në të ardhmen në mes të MPJD-së  dhe AKK-së, për të përmirësuar ndërveprimin midis diasporës dhe Komunave në Kosovë në promovimin e aktiviteteve të ndryshme.

P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.

← Të gjitha lajmet

Lajme të tjera

Qëndroni të informuar me AKK

Lajmet, publikimet dhe aktivitetet më të fundit të Asociacionit.

Shiko lajmet →