Shtëpia e Komunave
Mars 18, 2022

MIRËPRITET BASHKËPUNIMI I MINISTRIT TË SHËNDETËSISË ME KOLEGJIUMIN E SHËNDETËSISË DHE MIRËQENIE SOCIALE

Si pjesë e lobimit dhe angazhimit të Kolegjiumit me qëllim diskutimin e temave dhe shqetësimeve të adresuara nga autoritetet lokale, në kuadër të zhvillimit të veprimtarisë në fushën e shëndetësisë, Kolegjiumi për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale organizoi sot takimin e përbashkët me Ministrin e Shëndetësisë z. Rifat Latifi.
Në fjalën e tij z. Izet Sadiku – Kryesues i Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shprehu angazhimin e përbashkët të gjithë Kolegjiumit në adresimin e çështjeve shqetësuese në shëndetësinë primare si dhe gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrin Latifi në fushën e Kujdesit Parësor Shëndetësor.
Në adresimin e tij Ministri i Shëndetësisë z. Latifi edhe një herë shprehu angazhimin për një vëmendje të posaçme lidhur me rëndësinë e Kujdesit Primar Shëndetësor (KPSH), bashkëpunimin dhe ndërlidhjen midis nivelit qendror dhe lokal si alternativë e vetme në funksionimin e suksesshëm të tij.
Ministri Latifi shpalosi shtatë shtyllat kryesore, në të cilat po punon Ministria e Shëndetësisë, e të cilat kanë të bëjnë me transformimin e nevojshëm të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Ky ristrukturim i përgjithshëm në fushën e shëndetësisë ka të bëjë me rivlerësimin e problematikave dhe përmirësimin e nevojshëm të sistemit, i cili në qendër të vëmendjes ka pacientin.
Në përmbushje të agjendës legjislative, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në hartimin e tyre, duke përmendur rëndësinë e ligjeve në veçanti projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi, si dhe projektligjit për Sigurime Shëndetësore. Një theks të veçantë Ministri Latifi, spikati tek funksionimi dhe zhvillimi i Telemjekësisë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e ku duhet përmendur Shqipëria si shembull i mirë, e ku shihet qartazi nevoja për shfrytëzim dhe shtrirje në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.
Ndërsa sa i përket procesit të vaksinimit, Ministri i Shëndetësisë shprehu shqetësimin sa i përket procesit të vaksinimit me dozën e tretë.
Angazhimi maksimal i Komunave në këtë proces është vendimtar dhe duhet të jetë prioritet sa i përket vaksinimit të popullatës kundër COVID-19, sepse pandemia ende nuk ka kaluar andaj edhe duhet bërë apel njëzëri qytetarëve të pa vaksinuar që ta bëjnë këtë sa më parë për të mos u kthyer prapa me kufizime të ndryshme.
Ndërsa nga Projekti AQH (Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor) u prezantua në pika kryesore mundësitë e bashkëpunimit në ngritjen e kualiteti të shërbimeve shëndetësore në nivelin lokal. Njëra ndër pikat kryesore mbetet edhe seria e trajnimeve që ka për qëllim ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve të menaxhimit të menaxherëve shëndetësorë nga komunat e Kosovës.
Ndërkaq, Drejtorët e Drejtorive komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u zotuan për bashkëpunim me nivelin qendror, duke përmendur gjithashtu edhe sfidat edhe problemet me të cilat ata po ballafaqohen, përfshirë burimet njerëzore dhe buxhetore të kufizuara.

P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.

← Të gjitha lajmet

Lajme të tjera

Qëndroni të informuar me AKK

Lajmet, publikimet dhe aktivitetet më të fundit të Asociacionit.

Shiko lajmet →