Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me GIZ Kosovo në kuadër të projektit Kosovo4Green (K4G), organizoi punëtorinë e përbashkët me Kolegjiumin për Shërbime Publike dhe Kolegjiumin për Ekonomi Qarkore, me pjesëmarrjen e drejtorëve komunalë për shërbime publike, zyrtarëve komunalë për menaxhimin e mbeturinave, përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), si dhe grupit punues ndërministror për hartimin e Draft-Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave.
Punëtoria u zhvillua si platformë e përbashkët dialogu ndërinstitucional dhe ndërkomunal, me qëllim avancimin e proceseve reformuese në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet niveleve të qeverisjes dhe sigurimin e një qasjeje të integruar në planifikimin dhe zbatimin e politikave sektoriale.
Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet në kuadër të Draft-Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave, përfshirë statusin aktual të procesit të hartimit, risitë e propozuara si dhe harmonizimin e tij me dokumentet strategjike sektoriale, përfshirë Planet Ndërkomunale për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave (PNMIM).
Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e një kornize ligjore të qartë, koherente dhe të zbatueshme në nivel komunal.
Një pjesë e rëndësishme e punëtorisë iu kushtua progresit në hartimin dhe zbatimin e PNMIM-ve për Zonat e Menaxhimit të Mbeturinave (ZMM). U prezantua statusi aktual i planifikimit, procesi i konsultimeve publike dhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM), koordinimi me MMPHI gjatë fazave të miratimit, si dhe hapat drejt formalizimit institucional në kuvendet komunale.
Në vijim, diskutimet u fokusuan në fazën e implementimit të PNMIM-ve, duke përfshirë përgatitjen e projekteve investive (project fiches), planifikimin buxhetor dhe operacionalizimin e aktiviteteve në zonat përkatëse të menaxhimit të mbeturinave.
U theksua nevoja për kalimin nga planifikimi strategjik në zbatim konkret, të mbështetur nga instrumente financiare dhe teknike të qëndrueshme.
Gjithashtu, u trajtua rëndësia e Marrëveshjeve për Bashkëpunim Ndërkomunal si mekanizëm kyç për funksionalizimin e modelit të menaxhimit rajonal, si dhe nevoja për integrimin e mëtejshëm të komunave në proceset e hartimit dhe zbatimit të PNMIM-ve.
Në përmbyllje, u ritheksua se forcimi i koordinimit ndërinstitucional, përfshirja substanciale e komunave në proceset reformuese dhe ndërtimi i mekanizmave funksionalë të bashkëpunimit ndërkomunal janë parakushte thelbësore për ndërtimin e një sistemi efikas, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar të menaxhimit të integruar të mbeturinave në Kosovë.
P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.


