Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës diskutoi sot Projektligjin për Pronën Publike, i cili parasheh që komunat të mos jenë më pronare të pronës komunale, por vetëm shfrytëzuese apo administruese të saj.
Të gjithë kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të pranishëm në takim i mbështetën unanimisht kërkesat e AKK-së dhe kundërshtuan çdo përpjekje për t’ua marrë komunave pronësinë dhe për ta përqendruar atë në nivelin qendror.
Kjo qasje cenon autonominë lokale, bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe e godet drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik të komunave.
Mesazhi është i prerë: prona komunale u takon komunave dhe nuk mund të tjetërsohet përmes një Projektligji centralizues!
Kërkesat e miratuara unanimisht nga kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të pranishëm në takim, përmes AKK-së, do t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë.
Në vazhdim i gjeni kërkesat kryesore:
•Komunat të njihen shprehimisht si pronare të pronës komunale;
•Të hiqet përcaktimi se Republika e Kosovës është pronare e vetme e tërë pronës publike;
•Kuvendet komunale ta ruajnë të drejtën e vendimmarrjes për bartjen, këmbimin dhe dhënien me qira të pronës komunale;
•Prona e blerë, ndërtuar ose krijuar me mjete komunale të regjistrohet në emër të komunës;
•Regjistri unik qendror të ketë vetëm karakter koordinues dhe të mos e zëvendësojë regjistrin komunal;
•Projektligji të mos i kufizojë kompetencat vetanake të komunave për zhvillimin ekonomik lokal, planifikimin dhe shfrytëzimin e tokës;
•Mbikëqyrja qendrore mbi vendimet për pronën komunale të kufizohet vetëm në kontrollin e ligjshmërisë;
•Të hyrat nga prona komunale t’u takojnë komunave;
•Të shfrytëzohen të gjitha mjetet ligjore për ta parandaluar
centralizimin e kësaj kompetence, e cila u është garantuar komunave me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.
AKK kërkon rishikimin rrënjësor të Projektligjit dhe përfshirjen e plotë të kërkesave të komunave.
P.S. Prevod na engleski i srpski jezik automatizovan je uz pomoć veštačke inteligencije (AI).


