Në kuadër të përkushtimit për të mbështetur modernizimin e arsimit në nivelin lokal, Qendra e Trajnimit e Asociacionit të Komunave të Kosovës organizoi trajnimin tematik mbi digjitalizimin në arsim, me pjesëmarrjen e Drejtorëve të Arsimit dhe zyrtarëve të këtyre drejtorive nga 16 komuna të Kosovës.
Ky aktivitet synoi forcimin e kapaciteteve të udhëheqjes komunale për të kuptuar më mirë rolin e teknologjisë në transformimin e shkollave dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit publik.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësi të diskutojnë aspekte kyçe si: zhvillimi i infrastrukturës teknologjike në shkolla, integrimi efektiv i teknologjisë në procesin mësimor dhe mësimdhënie, përdorimi i të dhënave dhe inteligjencës artificiale në përmirësimin e rezultateve arsimore, si dhe siguria dhe mbrojtja e të dhënave në ambientin digjital të shkollës.
Komuna e Shtimes ofroi përvojat e veta dhe shërbeu si shembull e ndau me pjesëmarrësitë informata rreth faktit që një infrastrukturë e tillë dixhitale tani më zbatohet në njërën nga shkollat e kësaj komune dhe shërbeu si mundësi për ndarje të praktikave dhe përvojave të suksesshme të digjitalizimit.
Komunat diskutuan rreth mënyrave të financimit dhe zbatimit të projekteve teknologjike në arsim, nevojës për një koordinim të qëndrueshëm ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.
Roli udhëheqës i Drejtorëve të Arsimit në këto procese u theksua si faktor kyç për realizimin e një transformimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Trajnimi u zhvillua në një ambient bashkëpunues dhe ndërveprues, ku pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre, shkëmbyen ide konkrete dhe u angazhuan në diskutime të hapura për të ndërtuar një komunitet të qëndrueshëm profesional që vazhdon të funksionojë edhe pas përfundimit të aktivitetit.
Ky trajnim tregoi se digjitalizimi i arsimit nuk është vetëm një nevojë, por një mundësi reale për përmirësim të dukshëm të sistemit arsimor në nivel lokal.
P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.


