Shtëpia e Komunave
Shtator 25, 2026

KOMUNAT DHE INSTITUCIONET DISKUTOJNË RRUGËN PËR INVESTIME KOMUNALE NË ENERGJI TË RIPËRTËRITSHME

Asociacioni i Komunave të Kosovës në kuadër të projektit me GIZ, organizoi takimin me akterët kryesor për dialogun ndërinstitucional “Investimet në Burimet e Ripërtritshme të Energjisë në nivel lokal, për kapacitete të vogla gjeneruese dhe vetëkonsum”.

Dialogu bashkoi përfaqësues të institucioneve qendrore, operatorëve të sektorit të energjisë dhe komunave, me qëllim të shkëmbimit të informacionit dhe të gjetjes së zgjidhjeve për projektet e BRE-ve në nivel lokal.

Përfaqësuesitë e Zyrave Komunale për Energji, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqësuesitë e KEDS, ZRrE dhe KESCO diskutuan hapat që duhen proceduar për një projekt komunal: kushtet e kyçjes në rrjet, statusin e prosumatorit, marrëdhëniet kontraktuale, matjen dhe faturimin e energjisë.

Arsim Osmani nga Asociacioni i Komunave të Kosovës tha se institucionet e nivelit qendror dhe kompanitë operuese në fushën e energjisë duhet të bashkëpunojnë ngushtë me Komunat sepse këto nuk janë vetëm çështje teknike.

Qartësia e procedurave u mundëson të planifikojnë investime të realizueshme, të përdorin energjinë e prodhuar për nevojat e tyre dhe të menaxhojnë më mirë shpenzimet publike.

Kryesuesi i Kolegjiumit për Energji të AKK-së Afrim Prokshi, foli për rëndësinë e trajtimit të nevojave të komunave në procesin e investimeve energjetike.

Avni Sfishta, udhëheqës i Projektit për Energji në GIZ, foli për mbështetjen e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë fushë.

Servet Spahiu, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, trajtoi aspektet e planifikimit hapësinor dhe ndërtimit që lidhen me zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme.

Miftar Nika, nga Ministria e Ekonomisë, paraqiti zhvillimet dhe masat institucionale për mbështetjen e këtyre projekteve në nivel lokal.

Për pjesën e zbatimit, Florian Halimi nga KEDS foli për procedurat e kyçjes në rrjet dhe kushtet teknike që duhet të marrin parasysh komunat.

Sabri Tërnava nga KESCO trajtoi marrëdhëniet e furnizimit me prosumatorët, matjen, mekanizmat e faturimit dhe mënyrën e leximit të faturës së energjisë elektrike.

Gani Buqaj nga ZRrE foli për kuadrin rregullativ, statusin e prosumatorit, si dhe të drejtat dhe obligimet që lidhen me investimet komunale.

Në diskutimin e hapur, përfaqësuesit komunalë paraqiten sfidat dhe nevojat e Komunave që hasin gjatë përgatitjes së projekteve për vetëkonsum.

Këto projekte kërkojnë më shumë se një vendim për investim: komuna duhet të njohë kushtet e kyçjes, kërkesat rregullative dhe mënyrën si do të matet e faturohet energjia e prodhuar.

Procedurat e qarta dhe komunikimi i rregullt janë të nevojshëm që planet komunale për energji të ripërtëritshme të kthehen në investime të zbatueshme.

AKK-ja me Kolegjiumin për Energji do të vazhdojnë të përcjellin çështjet e ngritura nga Komunat dhe të nxisë bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse.

P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.

← Të gjitha lajmet

Lajme të tjera

Qëndroni të informuar me AKK

Lajmet, publikimet dhe aktivitetet më të fundit të Asociacionit.

Shiko lajmet →