Shtëpia e Komunave
Nëntor 11, 2025

GRUPI PUNUES PËR KOSOVËN PRANË KOMITETIT EVROPIAN TË RAJONEVE MBAJTI TAKIMIN NË PRISHTINË

Në mekanizmin e vendimmarrjes së BE-së, autoritetet lokale dhe rajonale përfaqësohen nga Komiteti Evropian i Rajoneve (CoR).

Në prill 2025, Byroja e CoR-it vendosi të avancojë marrëdhëniet duke formuar një Grup Pune për marrëdhëniet me Kosovën, i cili mblidhet dy herë në vit për dialog politik dhe shkëmbim të praktikave më të mira, kësaj rradhe në Prishtinë.

Panelistë në takimin e Grupit Punues për Kosovën pranë Komitetit Evropian të Rajoneve ishin z.Aivo Orav, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësues Special i BE-së, znj.Gillian Coughlan nga ‘Renew Europe’, Kryetari i Prishtinës z.Përparim Rama, z.Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Prof.Gazmend Qorraj, Mbajtës i Katedrës Jean Monnet, Universiteti i Prishtinës.

Në fjalën e tij z.Sazan Ibrahimi ndër të tjera tha se “ky është një moment i rëndësishëm për ne sepse për herë të parë, komunat tona kanë një kanal të strukturuar e të drejtpërdrejtë për dialog me familjen evropiane të autoriteteve lokale dhe rajonale. Prandaj, vendimi i Byrosë së Komitetit të Rajoneve në prill 2025 për të krijuar Grupin Punues për Kosovën ishte një hap i madh.

Për Kosovën, integrimi evropian është aspiratë dhe vizion, por për komunat tona është edhe detyrë praktike. Ne e dimë se mbi 70% e legjislacionit evropian zbatohet në nivel lokal. Kjo do të thotë se procesi i integrimit nuk është vetëm një çështje e institucioneve qendrore por është një rrugë ku komunat duhet të jenë të përfshira që nga fillimi.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është zëri i 38 komunave të vendit. Për më shumë se dy dekada, AKK ka qenë partner i besueshëm i institucioneve vendore, donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare.

Megjithatë, ne kemi edhe sfida si Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore, rritja e kërkesave të qytetarëve, ndikimi i emigracionit, ndërveprimi mes niveleve qendror-lokal meqë shpesh vendimmarrja në nivel qendror nuk merr parasysh realitetin dhe nevojat lokale.

Komunat janë ura që lidhin qytetarët me procesin e integrimit. Pa to, asnjë reformë nuk mund të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme” – tha ndër të tjera Drejtori Ibrahimi.

Vlen të ceket se zbatimi i suksesshëm i rreth 70% të legjislacionit ekzistues të BE-së kërkon kontribut nga autoritetet lokale. Megjithatë, niveli lokal nuk duhet të presë pasivisht rolin e vet pas anëtarësimit, por duhet të jetë aktivisht i pranishëm dhe të ndikojë në vetë procesin e anëtarësimit në BE shumë kohë përpara anëtarësimit apo edhe hapjes së negociatave formale.

Autoritetet lokale gjithashtu duhet të posedojnë aftësitë dhe burimet e nevojshme për këtë detyrë. Në mekanizmin e vendimmarrjes së BE-së, autoritetet lokale dhe rajonale përfaqësohen nga Komiteti Evropian i Rajoneve (CoR).

P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.

← Të gjitha lajmet

Lajme të tjera

Qëndroni të informuar me AKK

Lajmet, publikimet dhe aktivitetet më të fundit të Asociacionit.

Shiko lajmet →