Me mbështetjen e projektit AQH, u mbajt takimi i radhës i Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Asociacionit të Komunave të Kosovës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtorëve komunalë dhe përfaqësuesve të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Prioriteti kryesor i takimit ishte diskutimi mbi fushatën për zgjedhjen e mjekut familjar, e cila synon të përmirësojë identifikimin dhe menaxhimin e pacientëve me nevoja specifike.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, theksoi se ky projekt ka për qëllim të rrisë cilësinë e kujdesit shëndetësor, duke mundësuar ndjekje të vazhdueshme dhe individualizuar nga mjekët familjarë, dhe për të ndihmuar qytetarët në mënyrë më efektive.
Një tjetër pikë e rëndësishme e agjendës ishte prezantimi i planit të projektit AQH për vitin 2025 nga udhëheqësi i projektit, z. Nicu Fota.
Plani përfshin zgjerimin e projekteve të suksesshme në më shumë se gjysmën e komunave të Kosovës, dhe krijimin e një mekanizmi të ri për mbështetje të vazhdueshme ndaj komunave për zbatimin e projekteve në fushën e kujdesit shëndetësor.
Ky mekanizëm pritet të shërbejë si një platformë “Në Kërkesë” që do të ndihmojë në harmonizimin e standardeve të shërbimeve shëndetësore në nivel vendi.
Po ashtu, Rrezarta Jashari, eksperte e përfshirjes sociale, prezantoi objektivat e projektit “Bashkëpunimi Rajonal për Përfshirje Sociale,” i cili synon të zhvillojë politika të unifikuara për përfshirjen sociale në nivel komunal. Ky projekt përfshin analizën e dokumenteve strategjike dhe hartimin e një formati standard të dokumenteve për përfshirjen sociale.
Ky format është tashmë në fazë implementimi në komunat e Istogut dhe Prishtinës, duke synuar përmirësimin e qasjes së përgjithshme ndaj përfshirjes sociale dhe integrimit të grupeve të margjinalizuara.
Në përfundim, Blerim Shabani prezantoi programin e trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve socialë komunalë.
Ky program përfshin metoda të përparuara për menaxhimin e rasteve dhe përmirësimin e komunikimit ndërinstitucional, duke synuar rritjen e kapaciteteve lokale dhe përmirësimin e shërbimeve sociale për qytetarët.
Programi gjithashtu parashikon aplikimin e praktikave inovative për përmirësimin e përgjigjes ndaj nevojave të qytetarëve.
P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.


