Shtëpia e Komunave
Nëntor 10, 2023

KRYETARËT E KOMUNAVE KËRKOJNË QË LIGJI I RI PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS TË MOS BËHET PENGESË E ZHVILLIMIT EKONOMIK LOKAL

Nën organizimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës sot është takuar Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës për të diskutuar lidhur me Projektin-Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Takimin e ka hapur dhe kryesuar Nën Kryetari i Asociacionit dhe Kryetari i Komunës së Lipjanit z.Imri Ahmeti i cili tha se “jemi mbledhur në takimin e radhës së Këshillit të Kryetarëve për të diskutuar lidhur me Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës i cili është ligj është shumë i rëndësishëm për Komunat dhe pushtetin lokal me theks tek zhvillimi ekonomik lokal, i cili shpesh ka qenë pengesë për komunat dhe aktivitetet e tyre.

Ky projektligj vjen pasi Kryetarët e Komunave në vazhdimësi kanë kërkuar që ky akt ligjor të rishikohet dhe duke qenë përfaqësuesi jonë edhe anëtar i Grupit Punues, problemet e identifikuara nga ana jonë janë prezantuara në Grupin Punues gjatë përgatitjes së draftit të këtij akti ligjor.

Në këtë mënyrë, komentet tona janë adresuar, pastaj i kemi diskutuar edhe në Kolegjiumet Profesionale të Asociacionit dhe sot jemi këtu në Këshillin e Kryetarëve për të dhënë mendimin tonë meritor si udhëheqësit kryesor të Komunave meqë barra do të bie mbi ne në zbatimin e tij drejt synimeve tona për rritjen e zhvillimit ekonomik lokal.
Pra, dhënia në shfrytëzim dhe këmbim pronës komunale të ketë për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm lokal, duke përfshirë komponentën ekonomike, sociale, kulturore dhe atë të mbrojtjes së mjedisit dhe kështu të gjitha dispozitat ligjore duhet të hartohen në përputhje me këtë përcaktim të ri të qëllimit të ligjit.

Çështja tjetër që do të doja të potencoj është përcaktimi i kritereve të përgjithshme dhe të veçanta të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale.
Ligji i ri do të përcakton fillimisht kriteret e përgjithshme të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale që do të duhej të aplikoheshin në secilin rast, pa përjashtim. Ndërsa, kriteret e veçanta do të definohen më pas për secilën nga format e dhënies në shfrytëzim, për të siguruar dallimin e formave dhe procedurave.

Pastaj, tek mbikëqyrja e kontratave të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale, ku Ligji i ri do të përcaktojë obligime të qarta ligjore të kryetarit të komunës, si bartës i pushtetit ekzekutiv lokal, në raport me procesin e menaxhimit të pronës komunale, përfshirë raportet e rregullta për kontratat e dhënies në shfrytëzim të pronës komunale përgjatë gjithë periudhës kur ato janë dhënë në shfrytëzim.

Poashtu ligji do të përcaktojë edhe format e llogaridhënies së ekzekutivit komunal në raport me kuvendin e komunës, si autoritetin kryesor të menaxhimit të pronës komunale. Obligimet ligjore duhet të përcaktohen edhe në rastet kur bëhet shkëputja e kontratës në rastet e mos realizimit të planit dinamik.
Tek dhënia në shfrytëzim e pronës së paluajtshme të komunës për rastet e veçanta, Ligji do të përcaktojë saktësisht rastet e veçanta të cilat për nga natyra nuk mund të jenë subjekt i konkurrimit në procedurë të rregullt të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale.

Kësisoj, për këto raste ligji do të përcaktojë edhe dispozitat që rregullojnë procedurën e veçantë për këto raste, në atë mënyrë që të sigurohet që dhënia në shfrytëzim të jetë në pajtim me qëllimin e ligjit, dhe kritereve të përgjithshme të përcaktuara në ligj.
Në fund, çështja e bartjes së pronave të Agjencionit Kosovar të Privatizimit tek komunat do të rregullohet me Ligjin për Shpronësimin si dhe 20 % i kompensimit të punëtorëve do të i mbetet obligim i Komunave.

Unë potencova vetëm disa nga çështjet që mund ti diskutojmë sot meqë para një javë ju kemi dërguar nga Asociacioni – Projektligjin e ri, Ligjin e vjetër si dhe një analizë lidhur me ndryshimet mes këtyre dy dokumenteve – tha Kryetari z.Ahmeti.

Më pas Kryetarët e Komunave si z.Përparim Rama – Kryetar i Prishtinës, z.Shaqir Totaj – Kryetar i Prizrenit, z.Ardian Gjini – Kryetar i Gjakovës, z.Ramiz Lladrovci – Kryetar i Drenasit, z.Ruzhdi Shehu – Kryetar i Junikut, z.Behxhet Xheladini – Kryetar i Dragashit, z.Ilir Ferati – Kryetar i Istogut
dhe Nënkryetarët e përfaqësuesit e Komunave kanë dhënë propozime dhe sugjerime konkrete lidhur me këtë projektligj.

Për të finalizuar qëndrimin e Kryetarëve të Komunave është dakorduar që pikat diskutabile të këtij Projektligji të diskutohen me Kolegjiumin e Zyrtarëve Ligjor në mënyrë që përfaqësuesi i Asociacionit të Komunave të Kosovës në Grupin Punues z.Avni Bytyçi ti pasqyrojnë përfundimisht qëndrimet e pushtetit lokal të Kosovës.

Poashtu në takimin e Këshillit të Kryetarëve është diskutuar edhe çështja e kompensimit të mësimdhënësve mbi bazën e kualifikimit pasi Gjykata Supreme ka dhënë mendimin juridik për Kontratën Kolektive të nënshkruar nga Sindikata e Arsimit dhe Ministria e Arsimit pa konsultimin e Komunave.

Kryetarët e Komunave u shprehën në mënyrë unanime që mësimdhënësit meritojnë këto pagesa por ato duhet të bëhen nga ata që kanë nënshkruar ose nga Ministria e Financave të gjej zgjidhjen, në të kundërtën shumica e komunave do të mbesin pa realizimin e projekteve të investimeve kapitale.

Këshilli i Kryetarëve poashtu diskutoj edhe rekomandimet e Asociacionit të Komunave të Kosovës të Ligjit për Financat Publike.

P.S. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe është i automatizuar me AI.

← Të gjitha lajmet

Lajme të tjera

Qëndroni të informuar me AKK

Lajmet, publikimet dhe aktivitetet më të fundit të Asociacionit.

Shiko lajmet →