KRYETAR I ASOCIACIONIT TË KOMUNAVE TË KOSOVËS U ZGJEDH Z.AGIM ALIU



By: Genc Namani

Comments: 0

Në Kuvendin e Përgjithshëm të Asociacionit të Komunave të Kosovës që është mbajtur sot, e që është udhëhequr nga kryetari i deritashëm i AKK-sê z.Imri Ahmeti, është zgjedhur Bordi dhe Kryetari i ri për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Në këtë takim, me shumicë votash dhe në bazë të formulës sipas Statutit të AKK-sê bazuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kryetari i ri i Asociacionit të Komunave të Kosovës është zgjedhur z.Agim Aliu – Kryetar i Komunës së Ferizajit ndërsa Nënkryetar u zgjodh z.Imri Ahmeti – Kryetar i Komunës së Lipjanit.

Poashtu anëtarë të Bordit u zgjodhën: z.Shaqir Totaj – Kryetar i Komunës së Prizrenit, z.Bali Muharremaj – Kryetar i Komunës së Suharekës, z.Xhafer Gashi – Kryetar i Komunës së Obiliqit, z.Sokol Haliti – Kryetar i Komunës së Vitisë dhe z.Dragan Petkovic – Kryetar i Komunës së Parteshit.

Poashtu Kuvendi i Përgjithshëm i Asociacionit të Komunave të Kosovës me shumicë votash ka aprovuar raportet vjetore të vitit 2021 dhe planet për vitin 2022.
Në këtë takim të Kuvendit janë diskutuar edhe tema të lobimit në interes të qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.

Kryetarët e Komunave kërkuan që të vazhdohet bashkëpunimi dhe dialogu me Qeverinë Qendrore në funksion të zgjidhjeve të çështjeve të ngritura nga Komunat në interes të qytetarëve të tyre.
Pas diskutimeve të Kryetarëve të Komunave, Kuvendi i Përgjithshëm i AKK-së ka dalë me këto konkluzione:

1. Të gjendet një zgjidhje me Qeverinë lidhur me kontratat dyvjeçare në investimet kapitale dhe problemet që dalin me rritjen e çmimeve të materialeve të ndryshme për punimet në projektet kapitale.

2. Problemi me Zjarrëfikësitë të adresohet përmes Ligjit për Financat Lokale e AKK-të të loboj në këtë drejtim.

3. Të adresohen problemet me qentë endacakë dhe në bashkëpunim me Qeverinë të trajtohet ky shqetësim i Komunave.

4. Të përshpejtohet ekzekutimi i subvencioneve për fermerët në bujqësi.

5. Furnizimi me barna esenciale të rregullohet dhe QKMF-të në komunat të furnizohen sa më shpejtë.

6. Të funksionalizohet Bordi i Organit të Shqyrtimit të Prokurimit.

7. Qeveria të marrë përsipër obligimet që dalin nga Kontrata Kolektive.

8. Problemet me pyje do t’i trajtoj Ligji për Pyjet ndërsa, AKK-të të loboj në këtë drejtim.