SHKËMBEHEN PRAKTIKAT E MIRA NË TRAJTIMIN E NDRYSHIMEVE KLIMATIKE DHE MBËSHTETJEN E TRANZICIONIT TË ENERGJISË NË NIVELIN LOKAL



By: Genc Namani

Comments: 0

Qytetet e Ballkanit Perëndimor, Turqisë dhe Bashkimit Evropian shkëmbyen praktika të mira në trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe mbështetjen e tranzicionit të energjisë në nivel lokal në një konferencë gjysmë ditore të mbajtur me rastin e fillimit të projektit “EU4 Tranzicionin e Energjisë: Pakti i Kryetarëve të Komunave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.
Në këtë takim në formë online ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Qëllimi i këtij projekti është që të ndihmojë tranzicionin energjetik dhe të adresojë ndryshimet klimatike në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi nëpërmjet mbështetjes së qyteteve të rajonit në përmbushjen e angazhimeve të tyre për energjinë dhe klimën.
Pakti i Kryetarëve të Komunave për Energjinë dhe Ndryshimet Klimatike është një aleancë globale e qyteteve që ndajnë një vizion afatgjatë për mbështetjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe ndërtimin e shoqërive me qëndrueshmëri të lartë dhe me emetime të ulëta të karbonit.
Qytetet pjesëmarrëse angazhohen të përgatisin dhe zbatojnë një Plan Qëndrueshmërie për Energjinë dhe Klimën në të cilin do të zotohen të reduktojnë emetimet e Gazeve me Efekt Serë me të paktën 40 përqind deri në vitin 2030 dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
Kjo nismë do të mbështesë gjithashtu implementimin e projekteve të infrastrukturës në shkallë të vogël në komuna të zgjedhura, të cilat synojnë të demonstrojnë se si qytetet mund të trajtojnë njëkohësisht ndryshimet klimatike dhe të përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve të tyre. Për më tepër, promovimi i bashkëpunimit rajonal dhe qeverisjes në shumë nivele do të forcojë qëndrueshmërinë afatgjatë të projektit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Roberto Estellés Colom, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), theksoi se “zgjerimi i Paktit të Kryetarëve të Komunave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi është një mjet i rëndësishëm për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Miratuar nga liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes më 10 nëntor 2020, Agjenda e Gjelbër është një strategji e re e zhvillimit për rajonin, duke kaluar nga një model ekonomik tradicional në një ekonomi të qëndrueshme, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.
Pakti i Kryetarëve të Komunave do të mbështesë arritjen e objektivave të Agjendës së Gjelbër për të përafruar rajonin me ambicien e BE-së për vitin 2050 për ta bërë Evropën një kontinent neutral ndaj karbonit, duke përfshirë uljen e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës”.
Në emër të Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) , Dr. Natalija El Hage, Drejtoreshë për Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi deklaroi gjatë aktivitetit: “Krahasuar me mesataren e BE-së, Ballkani Perëndimor prodhon dhjetë herë më shumë CO2 për të prodhuar të njëjtin produkt të brendshëm bruto (GDP).
Prandaj, në emër të Qeverisë Federale Gjermane dhe partnerëve shumëpalësh si BE GIZ ofrojmë mbështetje teknike dhe ekspertizë për Ballkanin Perëndimor në trajtimin e sfidave të ndryshimeve klimatike dhe tranzicionit energjetik.”
Përveç prezantimit të historikut dhe objektivave të projektit, në konferencë u prezantuan shembuj të veprimeve të suksesshme klimatike në nivel qyteti. Gjatë një paneli, kryetarët e komunave të rajonit shkëmbyen këndvështrimet e tyre mbi sfidat me të cilat përballen në hartimin dhe zbatimin e politikave efektive të klimës dhe diskutuan hapat e mëtejshëm për të arritur një tranzicion të suksesshëm energjetik në nivel lokal.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfitues të projektit, partnerë, donatorë dhe përfaqësues të organizatave zbatuese. Projekti është i bashkë financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe në Ballkanin Perëndimor zbatohet nga GIZ në kuadër të Fondit të Hapur Rajonal për Evropën Juglindore – për Energji, Transport dhe Mbrojtje Klimatike dhe në Turqi nga Agjencia Qendrore e Menaxhimit të Projekteve (CPMA).