Historiku

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është formuar në vitin 2001 pas zgjedhjeve të para demokratike komunale në Kosovën e pasluftës. Themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës është mbështetur në nenin 10 të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale në kuadër të Këshillit të Evropës (e drejta për asociacion). AKK-ja është organizatë joprofitabile, është person juridik që i përfaqëson interesat e përgjithshme të anëtarëve të saj – autoritetet lokale.

Anëtarë të Asociacionit janë autoritetet lokale të Kosovës. Autoritetet lokale anëtarësohen në Asociacion nga Kuvendi i Asociacionit pas vendimit të marrë në
Kuvendin Komunal. AKK-ja angazhohet që në Kosovë të implementohen rregullat nga Karta Evropiane për Vetëqeverisjen locale.

Misioni

Misioni i Asociacionit të Komunave të Kosovës është të krijoj qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunat dhe përmes tyre të arrihet një performancë e kualitetit të lartë në shërbimin e nevojave për anëtarët e saj.

Vizioni

Që të krijohet një qeveri lokale efikase, e qëndrueshme dhe demokratike

Objektivat

Përmirësimi i strukturave legjislative të vetëqeverisjes dhe efikasiteti praktik i implementimit të tyre;

Nxitja e decentralizimit të pushtetit, përmes mbështetjes praktike dhe bashkëpjesëmarrjes mbi baza të barabarta, mes Autoriteteve qendrore dhe atyre lokale;

Zgjerimi i mbështetjes publike për demokracinë lokale që përfshin qytetarët dhe komunitetin e biznesit dhe ngritja e besimit në vetorganizimin e tyre dhe gatishmërisë së tyre për të marrë pjesë në qeverisjen lokale;

Shtimi i kompetencave, njohurive dhe kapaciteteve të Komunave për të siguruar kualitete të larta dhe efektive në shërbimet lokale;

Gjetja e burimeve alternative financiare për Komunat;

Demonstrimi se Komunat e Kosovës janë të barabarta dhe kanë partneritet kompetitiv me Autoritetet lokale në Evropë dhe në mbarë Botën;

Mbështetja e zhvillimit të Asociacionit në përputhje me ndryshimet në qarqet e brendshme dhe të jashtme.