Programi i Zhvillimit të Kapaciteteve të AKK-së menaxhohet nga Njësia e Trajnimit (NjT) dhe ka për qëllim të nxisë krijimin e njohurive dhe inovacionit, të përmirësojë shkathtësitë dhe të promovojë efektivitetin e zyrtarëve të zgjedhur lokal duke zhvilluar dhe ofruar një sërë trajnimesh inovative e të larmishme në mbështetje të zhvillimit të komunave, të përmirësojë shërbimet publike, të forcojë demokracinë lokale dhe të rris përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve.

Për këtë arsye, AKK si mision ka zhvillimin dhe menaxhimin e një sistemi të trajnimit të institucionalizuar dhe të qëndrueshëm për komunat anëtare të tij në të gjithë Kosovën.

Njësia e Trajnimit të AKK-së do të përmbushë misionin e vet duke u fokusuar në objektivat e mëposhtme:

  • Ofrimi i trajnimeve të specializuara të përgjithshme për zyrtarët e zgjedhur lokalë sipas nevojave të tyre
  • Organizimi i shkëmbimit i të mësuarit peer-to-peer në bazë të kërkesës për zyrtarët e zgjedhur
  • Kontribuimi në mirëkuptim më të mirë dhe zbatimin më efektiv të legjislacionit të ri
  • Prezentimi i koncepteve, mjeteve dhe qasjeve te reja bashkëkohore në ofrimin e shërbimeve të qeverisjes vendore
  • Krijimi i një bazë të njohurive dhe përcjellja e kësaj baze të njohurive nga një gjeneratë në gjeneratën tjetër të zyrtarëve të zgjedhur
  • Mbulimi i zbrazëtirave të njohurive për stafin komunal, sipas nevojës edhe në koordinim me IKAP dhe ministritë përkatëse të linjës, si dhe projektet e donatorëve.

Njësia e Trajnimit të AKK-së do të organizojë mbajtjen e trajnimeve duke u bazuar në kërkesat e tri target grupeve primare dhe një sekondare.

Target grupet primare janë zyrtarët lokalë të zgjedhur dhe të emëruar në komuna, dmth.

  1. Kryetarët, Zv.Kryetarët dhe stafi i kabinetit të tyre;
  2. Drejtorët e drejtorive komunale;
  3. Anëtarët e Kuvendit Komunal.

Shërbyesit Civilë, të cilët janë të punësuar në departamentet e ndryshme të komunave dhe përbëjnë një total prej rreth 6,000 personave (duke përjashtuar këtu mësuesit, stafi i spitalit etj.), janë target grupi i dyte. Këtij target grupi, trajnimet do t’i ofrohen vetëm në bazë të kërkesave të tij dhe në bashkëpunim të ngushtë me ofruesit e caktuar të trajnimeve, p.sh. IKAP dhe ministritë e linjës (si dhe projektet e donatorëve).

 

AKK-Njësia e Trajnimeve Përmbledhje e Strategjisë