Deklaratë e AKK-së lidhur me situatën aktuale nëpër komuna

Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se angazhimi i tashëm i komunave të Republikës së Kosovës në përballimin e situatës së rëndë të krijuar nga reshjet e borës është tërësisht në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet e tyre.

Komunat e Kosovës janë duke bërë të pamundurën në mënyrë që rrugët të jenë të kalueshme dhe qytetarët të kalojnë me sa më pak vështirësi dhe pasoja këtë situatë të rënduar të dimrit.

Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se përkushtimi i Komunave në këtë drejtim është i madh dhe në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe të veprimit për zhbllokimin e jetës, të qarkullimit dhe të vështirësive të krijuara nga bora e madhe.

Komunat e Kosovës me këtë rast falenderojnë Kompanitë Kontraktuese dhe ato Vullnetare, Forcën e Sigurisë së Kosovë dhe Policinë e Kosovë për angazhimin dhe përkrahjen e komunave dhe mekanizmave të tyre në përballimin e kësaj situate.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me anë të një kërkese ndarjen e mjeteve financiare për komunat nga Fondi Emergjent i Qeverisë së Kosovës si dhe lejimin e komunave për ridestinimin e mjeteve nga buxhetet komunale në mënyrë që komunat të kenë më të lehtë tejkalimin e kushteve të rënduara atmosferike të këtyre ditëve.

 

Bajrush Xhemaili

Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës