Bordi i AKK-së u takua me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Më 1 Dhjetor 2011 u mbajt takimi i anëtarëve të Bordit të Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) dhe delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përbërje të z.Emre Alper si dhe z.Francis J. Conway. Delegacioni i AKK-së ishte i përbërë nga kryetari z.Bajrush Xhemaili, nënkryetari z.Isa Mustafa dhe anëtarët e Bordit z.Agim Veliu, z.Pal Lekaj, z.Naim Ismajli, z.Qemajl Mustafa z.Nebojsha Peric si dhe Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, z.Sazan Ibrahimi.

 

Qëllimi takimit ishte diskutimi lidhur me hapat e decentralizimin fiskal, shkëmbimin e informatave si dhe format e bashkëpunimit me FMN-në.

 

Në kuadër të debatit rreth reformës së decentralizimit fiskal Bordi i AKK-së edhe një herë potencoi interesin e një reformë më të shpejtë të decentralizimin fiskal sepse kontrolli qendror mbi shpenzimet operative është duke e dëmtuar në masë të madhe ofrimin e shërbimeve komunale si dhe mirëmbajtjen dhe operimin e aseteve të reja të investuar në komuna.

 

Bordi i AKK-së shprehu angazhimin për të rritur të hyrat përkundër tendencave të MPB-së që të hiqen kushtëzimet me tatim në pronë për regjistrim të veturave ku AKK-ja ka arritur të ndalojë një gjë të tillë duke marrë parasysh se kjo do të zvogëlonte në një masë të madhe të hyrat komunale nga tatimi në pronë, si dhe faktin që komunat të lejohen që të jenë më të lira në përdorimin e të hyrave vetanake, formë e cila mund të jetë si nxitje dhe motiv i fortë për të ngritur nivelin e mbledhjes së këtyre të hyrave.

 

Në këtë takim, po ashtu u shpreh nevoja për më tepër liri në rritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe të shqyrtohen edhe mundësitë e përfitimit nga përqindja e të ardhurave nga Doganat dhe TVSH-ja për komunat sikurse është praktikë në disa vende të rajonit e cila një pjesë të këtyre të ardhurave ja delegon komunave. Kërkesë e vazhdueshme është që komunat të përfshihen edhe më shumë në planifikimin buxhetor dhe të konsultohen sa përket kornizës afatmesme, ku duhet të përcaktohen kritere bazë dhe specifike sa i përket ndarjes buxhetore si dhe të dilet me një analizë sa i përket performancës nga vlerësimi i personelit. AKK-ja vite më parë ka rekomanduar që çdo komunë të ketë 60 shërbyesve civil + 1 punëtorë për çdo 1000 banorë, mirëpo kjo nuk është përfillur deri tani nga Qeveria.

 

Me këtë rast, në të ardhmen, Komunat duhet të jenë të përgatitura të bindin Ministrinë e Financave për nevojat e tyre, në të njëjtën kohë të sigurojnë të dhënat dhe analizat sa i përket vizionit për të ardhmen ku duhet të paraqesin metoda konkrete në ngritjen e të ardhurave dhe në të njëjtën kohë të paraprijnë rritjen ekonomike komunale, duke punuar me biznesin për të mos dëmtuar sektorin privat në ngritjen e kapaciteteve ekonomike.

 

Në këtë takim, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe përfaqësuesit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës janë pajtuar që të diskutohet me Ministrinë e Financave sa i përket fleksibilitetit më të madh rreth të hyrave vetanake komunale, po ashtu rishikimit të shumës prej 10% të grantit qeveritar duke marrë parasysh se komunat ballafaqohen me probleme të vazhdueshme në mirëmbajtjen e investimeve të reja, si dhe të shqyrtohet mundësia e rritjes së fondit për mallra dhe shërbime kundrejt asaj të investimeve kapitale të cilat u përcillen komunave për të mbuluar shpenzimet operative.

 

Delegacioni i FMN-së edhe njëherë shprehu mirëkuptim lidhur me kërkesat e krerëve komunal, raportimin e drejtë të komenteve dhe vërejtjeve të bëra nga përfaqësuesit komunal sa i përket raportit përfundimtar si dhe mundësinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm edhe në të ardhmen sa përket procesit të decentralizimit fiskal.