KRYETARËT E KOMUNAVE NË BASHKËPUNIM ME KRYEMINISTRIN ZOTOHEN NË ZBATIM TË PLOTË E RIGOROZ TË MASAVE DHE REKOMANDIMEVE NË BETEJËN ANTI-COVID-19



By: Genc Namani

Comments: 0

Nën organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kryetarët e Komunave sot kanë zhvilluar një takim virtual përmes komunikimeve elektronike me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z.Avdullah Hoti.

Temë e këtij takimi ishin masat e reja të Qeverisë dhe bashkëpunimi me nivelin lokal për adresimin dhe zbatimin e masave në betejën për parandalimin e përhapjes së mëtejme të Pandemisë Covid19.

Takimin e hapi Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës z.Xhafer Gashi i cili falënderoi Kryeministrin Hoti për gatishmërinë për bashkëbisedim me Kryetarët e Komunave dhe në përgjithësi për koordinimin mes nivelit qendror dhe lokal të qeverisjes në betejën e përbashkët kundër Pandemisë Covid19.

Kryeministri z.Avdullah Hoti në këtë takim para Kryetarëve të Komunave tha se për shkak të shtimit të rasteve të identifikuara me këtë virus kemi qenë të detyruar të marrim disa masa në parandalim të përhapjes së mëtejme. Këtë vendim e kemi mbështetur tek vlerësimi i ekspertëve shëndetësor dhe bartësit e institucioneve shëndetësore në Kosovë.

Ne duam të bashkëpunojmë ngushtë me Kryetarët e Komunave në mënyrë që të jemi së bashku në këtë betejë dhe kështu të ruajmë shëndetin e qytetarëve tanë.

Së shpejti do nënshkruajmë Memorandumin mes Qeverisë së Kosovës, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Komisionit Evropian për zbatimin e protokollit të tyre të masave anti Covid19. Poashtu , përmes Ministrisë së Financave kemi alokuar 9.2 milion euro për Planin e Veprimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë, pastaj kemi porositur 100 mijë teste virologjike, 500 mijë vaksina për gripet sezonale dhe 20 mijë terapi specifike sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian për të prekurit me Covid19.

Poashtu do të tentojmë në testim të mostrave në mënyrë që të kemi gjendjen edhe më reale të të infektuarve në nivel vendi.

Në anën tjetër do të fuqizojmë Qendrën e Situatës dhe kërkoj nga Komunat poashtu të funksionalizojnë edhe Shtabet Komunale të Emergjencës në mënyrë që bashkëpunimi vertikal të jetë i përditshëm në këtë situatë.

Do të angazhojmë inspektorët sanitarë në komuna sipas kërkesës së Asociacionit të Komunave dhe më anë të një qarkore do të ju informojmë për procedurat.

Në zbatim të masave. do të shtohen gjobat ndaj personave fizik dhe juridik të cilët nuk zbatojnë udhëzimet shëndetësore të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Spitalet rajonale do të ndihmohen në rritjen e kapaciteteve që t’i pranojnë të infektuarit me Coronavirus – tha ndër të tjera kryeministri Hoti.

Kryeministri i Kosovës në fund i premtoi Kryetarëve të Komunave që për çdo vendim që do ta marrë që në të njëjtën kohë të ketë ndikim edhe tek komunat do të konsultohet me Kryetarët e Komunave.

Kryetarët e Komunave ndërkohë në bashkëbisedim me Kryeministrin Hoti pasqyruan gjendjen aktuale në komuna dhe adresuan sfidat dhe nevojat e Komunave në këtë betejë të përbashkët institucionale kundër Covid19.

Kryetarët e Komunave njëzëri mbështetën masat e Qeverisë dhe u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë dhe zbatim rigoroz të rekomandimeve dhe masave të institucioneve shëndetësore dhe qendrore.