TAKIM KOORDINUES I MINISTRIT TË SHËNDETËSISË ME KRYETARËT E KOMUNAVE



By: Genc Namani

Comments: 0

Me ftesë të Ministrit të Shëndetësisë z.Armend Zemaj është mbledhur Këshilli i Kryetarëve në një takim pasdite për të debatuar situatën e tashme me Pandeminë Covid-19.

Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë Kryetarët e Komunave të Kosovës, Ministri i Shëndetësisë z.Armend Zemaj, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) z.Naser Ramadani dhe Kryeinspektorati Sanitar dhe Kryeinspektorati i Ushqimit.

Në fjalën hyrëse, Ministri i Shëndetësisë z.Armend Zemaj tha se është “ky takimi ynë ndërinstitucional për të vazhduar betejën e përbashkët kundër Pandemisë Covid 19.
Tashmë që kemi lehtësuar masat ende duhet të jemi vigjilent dhe në krye të detyrës si edhe deri më tani. Pas punëtorëve shëndetësor e institucioneve të sigurisë, kryetarët e Komunave me Shtabet Komunale Emergjente kanë qenë në vijën e parë të frontit dhe vlen për t’u përshendetur angazhimi dhe vetëmohimi i tyre në këtë betejë për të parandaluar përhapjen e kësaj pandemie”.

Ministri Zemaj foli para kryetarëve të Komunave edhe për angazhimet e Ministrisë në këtë fazë dhe shprehu gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe koordinim me Kryetarët e Komunave në sfidat dhe nevojat e tyre në çdo kohë.

Në fjalën e tij, Zëvendës Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës z.Xhafer Gashi tha se “në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës Ju falenderoj për këtë takim dhe për mundësinë e bashkëpunimit ndër-institucional në betejën e përbashkët kundër Pandemisë Covid-19.
Komunat e Kosovës në periudhën mbi dymujore, në betejën e tyre ndaj kësaj pandemie, kanë ndërmarrë shumë aktivitetet në mënyrë që parandalimi e saj të jetë më i lehtë dhe mposhtja e saj të jetë më e shpejtë.

Në këtë drejtim kemi bashkëpunuar shumë ngushtë më shumicën e mekanizmave të institucioneve qendrore duke filluar nga zbatimi rigoroz i masave të dala nga niveli qendror e deri tek shtrimi i kërkesave dhe rekomandimeve për më shumë efikasitet në këtë drejtim.

Sfidat e Komunave në këtë situatë kanë qenë nga më të ndryshmet. Por së bashku besoj se i kemi tejkaluar shumicën e tyre me sukses dhe efikasitet. Shpresojmë se kështu do jemi edhe në fazat e fundit të kësaj pandemie.

Në anën tjetër, rastet e fundit na sugjerojnë të jemi syhapur dhe aktiv edhe në të ardhmen. Por kjo nuk mund të bëhet pa një bashkëpunim të ngushtë me komunat e Kosovës me theks me Kryetarët dhe Shtabet Komunale Emergjente.

Zbatimi në praktikë i masave dhe aktiviteteve të institucioneve qendrore në këtë betejë bëhet në komuna, afër qytetarëve. Andaj nëse duam të jemi efikas në këtë situatë koordinimi dhe bashkëpunimi duhet të jetë ditor duke vlerësuar më shumë kujdes nevojat, kërkesat dhe sugjerimet e qeverisjes lokale në Kosovë.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është hallka kryesore e komunikimit të institucioneve qendrore me ato lokale dhe sic edhe deri më tani, AKK do të jetë në dispozicion për t’ju përkrahur dhe ndihmuar në luftë kundër përhapjes së COVID 19.

Këtu kemi edhe kryetarët e Komunave ku mund të shtrojmë për debat temat që na preokupojnë si pushtet lokal në mënyrë që të jemi më efikas dhe sa më afër nevojave të qytetarëve në këtë situatë pandemie”.

Ndërsa Drejtori i IKSHP-së z.Naser Ramadani falenderoj Kryetarët e Komunave për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre për koordinim përbajtësor dhe të gjithanshëm me IKSHP në këtë kohë pandemie. Kemi punuar së bashku sipas Planit të Gatishmërisë dhe ky trend i bashkëpunimit duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Drejtori Ramadani informoi në detaje Kryetarët e Komunave me situatën e tashme në nivel Kosovë me pandeminë Covid 19 dhe ndanë së bashku me ta ideja dhe iniciativa për të përmbyllur sa më shpejtë dhe me efikasitet këtë betejë.

Në këtë takim, Kryetarët e Komunave kanë debatuar në detaje edhe format dhe mënyrat e bashkëpunimit dhe koordinimit në të gjitha aspektet edhe në të ardhmen në këtë betejë.

(raporti i zgjeruar nga ky takim botohet në Buletinin e ardhshëm të AKK-së)