KRYETARËT E KOMUNAVE DHE QEVERIA E KOSOVËS DISKUTOJNË PROCESIN E RISHIKIMIT TË BUXHETIT



By: Genc Namani

Comments: 0

Me kërkesë të Asociacionit të Komunave të Kosovës sot është mbajtur një takim urgjent mes Kryetarëve të Komunave dhe Qeverisë së Kosovës.

Në këtë takim është debatuar lidhur me rishqyrtimin e buxheteve komunale në procesin e rikishikimit buxhetor, situatën ekonomike dhe buxhetore si pasojë e Pandemisë Covid-19 dhe Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Në takim, nga Qeveria kanë marrë pjesë Zëvendës Kryeministri i Qeverisë z.Besnik Tahiri dhe Ministrja e Financave znj.Hykmete Bajrami, ndërsa përveç Kryetarëve të Komunave prezent ishin edhe Nënkryetarë të Komunave dhe Drejtorët Komunalë për Buxhet e Financa.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës takimin e hapi Zëvendës Kryeministri z.Tahiri i cili tha se si Qeveri kemi pranuar me kënaqësi këtë takim për koordinim ndërinstitucional në procesin e rishikimit buxhetor dhe çështjeve tjera që ndërlidhen me buxhetin dhe ekonominë në vendin tonë.

Ministrja e Financave znj.Hykmete Bajrami në ekspozenë e saj para Kryetarëve të Komunave tha se meqë jemi në proces të rishikimit të buxhetit të shtetit duhet të potencojmë se jemi në një situatë tepër të pavolitshme buxhetore si shkak i pandemisë Covid 19. Situatë, e cila nuk ka qenë Kosova në 20 vitet e fundit ndoshta. Ajo potencoi se sipas vlerësimeve të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar diku rreth 250 milion euro do të kemi më pak mjete buxhetore si pasojë e kësaj pandemie. Ajo shtoi se nga 180 milion euro të Pakos Emergjente Fiskale janë shpenzuar diku rreth 60 milion euro deri më tani. Andaj në këtë rishikim duam ti njoftojmë komunat se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për komunat e as për investimet kapitale. Mirëpo në këtë proces duhet të mirëkuptojmë njëri tjetrin si organizata buxhetore në mënyrë që të zvogëlojmë pasojat ekonomike të kësaj pandemie.

Në anën tjetër, Kryetarët e Komunave vlerësuan përpjekjet dhe gatishmërinë e Qeverisë dhe të ministres Bajrami për konsultim me komunat në këtë proces. Ata u shpreh mirëkuptues për situatën buxhetore e ekonomike në të cilën po kalojmë dhe që mund të na përcjell edhe në të ardhmen.

Mirëpo nga diskutimet e Kryetarëve të komunave fillimisht u kërkua që të rirregullohen disa çështje në aspektin buxhetor dhe të pagesave meqë komunat poashtu janë në pozita jo të mira financiare edhe si pasojë e disa vendimeve të Ministrive të ndryshme siç është Kontrata Kolektive e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Ministrisë së Arsimit që pa konsultime kanë ngarkuar buxhetin e komunave.
Poashtu nga përfaqësuesit e pushtetit lokal u ceken problemet me procedura në këtë kohë të prokurimit publik, mos nënshkrimi i kontratave pa zotimin e mjeteve, kontratat e centralizuara për shërbime e furnizime të ndryshme, mos pagesën e një pjese të punëtorëve shëndetësor. Poashtu si çështje është ngritur edhe projektet e nënshkruara nga ministritë e për të cilat po merren vendime për rialokim të mjeteve pa konsultime paraprake me komunat përfituese të këtyre projekteve të përbashkëta.

Kryetarët përshëndetën Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe shprehën gatishmërinë të punojnë ngushtë me Qeverinë për plotësimin e saj në mënyrë që kjo pako të ndikoj në zbutjen e çështjeve ekonomike e financiare në vendin tonë.

Qeveria e Kosovës dhe Kryetarët e Komunave u dakorduan për adresim në këtë kohë vetëm të çështjeve që janë urgjente, sidomos projeksionet në rishikimin buxhetor dhe kërkesat e komunave në këtë drejtim. Ndërsa ky koordinim mes këtyre dy niveleve të institucioneve qeverisëse të vazhdoj për temat tjera sidomos për procesin e rimëkëmbjes ekonomike dhe ndryshimin e akteve ligjore të cilat do të ndikojnë në performancën më të mirë buxhetore të komunave në të ardhmen.