KËSHILLI I KRYETARËVE DISKUTOI PROBLEMET BUXHETORE KOMUNALE 2020 ME MINISTRIN E FINANCAVE DHE TRANSFEREVE



By: Genc Namani

Comments: 0

Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes mekanizimit të Këshillit të Kryetarëve ka mbajtur një takim me Kryetarët e Komunave të Kosovës dhe z.Besnik Bislimi – Ministër i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës për të debatuar përgatitjet finale për hartimin e Ligjit të Buxhetit për vitin 2020 dhe disa çështje buxhetore urgjente që kanë të bëjnë me komunat e Kosovës.

Ky forum e ka debatuar edhe problematikën e komunave me Kontratën Kolektive, çështjen e Granitit të katërt komunal – për projektet e komunave, centralizimin e prokurimit për furnizime të ndryshme dhe përfaqësimin e Komunave në Komisionin e Granteve.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe Nënkryetarë të Komunave dhe Drejtor Komunal të Buxhetit e Financave nga ana e qeverisjes lokale, kurse nga niveli qendror ishin të pranishëm edhe Drejtori i Buxhetit të Kosovës, Drejtori i Thesarit dhe përfaqësuesi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit.

Në emër të Bordit të AKK-së takimin e hapi z.Imri Ahmeti – Kryetar i Komunës së Lipjanit i cili tha se ky takim është organizuar edhe me inicimin nga ana e Ministrisë së Financave për të trajtuar disa çështje buxhetore urgjente që kanë të bëjnë me komunat e Kosovës. Në hyrje kryetari Ahmeti falënderoi për punën dhe angazhimin e deritashëm të kryetarit të AKK-së z.Agim Veliu dhe uroi për angazhimet e reja. Sa i përket temës së takimit, ai shtoi se në këtë takim do të trajtojmë procesin e formulimit të buxhetit 2020 dhe inkorporimin e kodit të pagave me rritje sipas Ligjit për paga por me duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, çështjen e Granitit të katërt komunal – për projektet e komunave, centralizimin e prokurimit për furnizime të ndryshme, ndikimin e Kontratës Kolektive në buxhetet komunale dhe përfaqësimin e Komunave në Komisionin e Granteve.

Ministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve z.Besnik Bislimi tha se ky takim është shumë domethënës për Ministrinë që udhëheq ai dhe trajtimi i çështjeve urgjente që kanë të bëjnë me buxhetet komunale 2020 dhe 2021. Çështja kryesore është këtu kodi i pagave me rritje sipas Ligjit të ri për Paga dhe ne sot së bashku me Ju duhet të gjejmë një zgjidhje lidhur me problematikën e pagave (pa i dëmtuar kufijtë buxhetor komunal) deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga pas përgjigjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Për temat e cekura, në këtë takim kanë diskutuar edhe kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave z.Ramiz Lladrovci (Drenas), Haki Rugova (Istog), Shpend Ahmeti (Prishtinë), Bekim Jashari (Skenderaj), Ardian Gjini (Gjakovë), Bashkim Ramosaj (Deçan), Fadil Krasniqi (Fushë-Kosovë), Kelmend Rexhepi (Kllokot), Naim Ferati (Ferizaj), Mazllum Qajani (Hani i Elezit) si dhe përfaqësuesit e nivelit qendror Salvador Elmazi – Departamenti i Buxhetit, Ahmet Ismajli – Departamenti i Thesarit, Behxhet Rukiqi – Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Pas diskutimeve dhe debateve, Këshilli i Kryetarëve ka nxjerrë këto konkluzione:

1. Mjetet shtesë për rritje të Pagave sipas Ligjit të ri do të mbesin në një fond rezervë të komunave dhe të paprekshme deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
2. Komunat e përkrahin dhe mirëpresin Grantin e Katër Qeveritar për Komunat për investime në projekte komunale me kritere të qartë dhe gjithëpërfshirëse.
3. Komunat kërkojnë që obligimet që mund të dalin nga Marrëveshjet e nivelit Qendror për Kontratën Kolektive të mos mbesin barrë e buxheteve komunale por të gjendet një zgjidhje e pranueshme.
4. Të zhbllokohet procesi i rekrutimit të stafit civil brenda koutave të lejuara komunale dhe ligjeve në fuqi.
5. Të ndryshohet dhe decentralizohet procesi i prokurimit publik për furnizime të përgjithshme.
6. Komunat kërkojnë që Marrëveshjet dhe Memorandumet e tyre me Ministri të ndryshme të inkorporohen në buxhetin e vitit 2020 si dhe planifikimet e Ministrive për investime në komuna.

* Raporti i plotë me diskutimet e Kryetarëve dhe të tjerëve do t’i gjeni në Buletinin e AKK-së të Muajit Shkurt.