FILLOI PUNËN QENDRA E TRAJNIMIT E ASOCIACIONIT TË KOMUNAVE TË KOSOVËS



By: Genc Namani

Comments: 0

Me një ceremoni, është shënuar nisja e punës së Qendrës së Trajnimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) si një program i ri i avancuar i shërbimeve për komunat tona.

Ky projekt vjen si rezultat i angazhimit të Asociacionit, lobimit dhe avokimit të vazhdueshëm në emër të komunave tek Qeveria, Kuvendi i Kosovës dhe akterët e tjerë relevantë, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët tanë në nivel lokal.

Përveç kryetarëve e zyrtarëve të ndryshëm komunal, në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ambasadorët e Zvicrës dhe Suedisë dhe qindra bashkëpunëtorë e partner të Komunave dhe Asociacionit.

Në fjalën e rastit, kryetari i AKK-së z. Agim Veliu ndër të tjera tha se “sonte Asociacioni po shënon suksesin e radhës – një arritje historike për organizatën dhe të gjitha komunat e saja anëtare. Sonte, po lansojmë Qendren e Trajnimeve të Asociacionit të Komunave të Kosovës- programin tonë më të ri.
Me themelimin e Qendrës së Trajnimit, Asociacioni i Komunave të Kosovës po zgjeron gamën e shërbimeve të tij duke u ofruar zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar politikë në Komuna një adresë të saktë tek e cila mund të drejtohen me kërkesat e tyre për thellimin e njohurive dhe shkathtësive në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale.
Përgjatë më shumë se dhjetë viteve të fundit, kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Qeverinë Zvicerane – si mbështetëse e rëndësishme e një qeverisje funksionale dhe përgjegjëse ndaj qytetarit në nivelin lokal.

Me themelimin e Qendrës së Trajnimeve, Asociacionit i është bashkuar një partner i ri- Qeveria e Suedisë! Të punosh me mbështetjen e dy shteteve të fuqishme dhe promotorëve po aq të rëndësishëm të demokracisë lokale në Kosovë është arritje me të cilën krenohemi!
Në nën tjetër dua që edhe një herë t’i falënderoj në përkrahje edhe USAID, Komisionin Evropian, GiZ, OSBE, UNDP, NALAS dhe Organizata tjera partnere të Asociacionit të cilët në asnjë moment nuk e kanë lënë AKK pa e përkrahur” – tha ndër të tjera kryetari Veliu.

Ambasadori i Zvicrës në Republikën e Kosovës z. Jean Hubert Lebet në fjalën e tij tha se “prej vitesh, Kosova ka arritur që të ketë përparim të mirë në fushën e Qeverisjes Lokale. Korniza ligjore për qeverisjen lokale është moderne dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Komunat janë duke u bërë më transparente, më të përgjegjshme dhe më të hapura ndaj qytetarëve.

Ofrimi i shërbimeve komunale cilësore, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme për të përmirësuar në mënyrë të dukshme jetesën dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Si përfundim, përmirësimet më të rëndësishme janë ato që janë të dukshme dhe të matshme në nivelin e qytetarëve.
Që nga viti 2006, një mbështetje mjaftë e madhe e shtetit të Zvicrës është përqëndruar në fushën e qeverisjes lokale në Kosovë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Jemi mbledhur sot këtu për të shënuar fillimin e Njësisë së Trajnimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK). Zvicra mbështet Asociacionin e Komunave që nga viti 2009, me idenë se një organizatë e fortë e Komunave është e rëndësishme për përparimin e qeverisjes lokale në çdo vend.
AKK-ja është një zë shumë i fuqishëm i cili përfaqëson interesin e Komunave të Kosovës. Ne jemi të kënaqur që Asociacioni i Komunave tani po merr një rol të shtuar në zhvillimin e kapaciteteve për komunat.

Ne jemi shumë të kënaqur që Qeveria Suedeze është bashkuar për të mbështetur Njësinë e Trajnimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Kjo forcon më tej bashkëpunimin dhe partneritetin e ngushtë midis Zvicrës dhe Suedisë në disa programe për bashkëpunim dhe zhvillim në Kosovë.
Ne i urojmë Asociacionit të Komunave shumë suksese në këtë hap të ri të cilin po e ndërmerr. Shpresojmë që shumë shpejt të gjitha përpjekjet tuaja të shndërrohen në arritje të cilat do të ndikojnë në rritjen e performancës komunale, qeverisjen e mirë lokale dhe ofrimin e shërbimeve efektive për të gjithë qytetarët – tha ndër të tjera ambadori Lebet.

Ambasadorja e Suedisë në Republikën e Kosovës znj. Hernmarck Ahliny në fjalën e saj tha se “politikanët e zgjuar dhe gjithëpërfshirës ndërtojnë komuna gjithëpërfshirëse dhe të zgjuara.

Niveli i gjithëpërfshirjes, transparencës dhe përgjegjësisë është treguesi kryesor se sa mirë do të performojë çdo strukturë qeverisëse, posaçërisht në nivelin lokal. Gjithëpërfshirja në vendimarrje, transparenca dhe përgjegjësia e mirëfilltë, rritë besimin e qytetarëve ndaj autoriteteve.
Është shumë e rëndësishme të ndërtohet besimi në nivel lokal, të mundësohet qasje e barabartë në shërbimet publike siç janë: infrastruktura, transporti, institucionet parashkollore, kujdesi shëndetësor parësor, shërbimet sociale, uji, kanalizimet, mbledhja e mbeturinave dhe shërbimet e tjera themelore. Zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar lokalë janë të parët të cilët marrin vendime që ndikojnë jetën e qytetarëve.

Andaj, ne kemi kënaqësinë ta mbështesim themelimin e Qendrës së Trajnimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Mësimi dhe edukimi i vazhdueshëm i zyrtarëve komunal është i domosdoshëm në mënyrë që ti përgjigjen më së mirë nevojave të qytetarëve dhe që të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve.
Sistemi gjithëpërfshirës i zhvillimit të kapaciteteve për zyrtarët komunal, do t’i ndihmojë në përmbushjen e detyrave të tyre aktuale si dhe në zotërimin e aftësive të nevojshme për sfidat e ardhshme.
Qendra e Trajnimit do të mundëson që të gjitha komunat të ofrojnë shërbime më të mira e të përshtatura me nevojat e të gjithë qytetarëve – tha ndër të tjera Ambasadorja Ahliny.

Duke prezantuar Qendrën për Trajnim znj.Edona Peci – Menaxhere e Qendrës, pasi elaboroi objektivat, modeulet dhe funksionimin e kësaj Qendre tha se, “Qendra e Trajnimit është përgjegjëse për disejnimin, organizimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e programit gjithëpërfshirës dhe të standardizuar të AKK-së për zhvillim të kapaciteteve. AKK qëllimisht fokusohet tek zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar politikë në komuna meqë atyre u ofrohen mundësi të kufizuara për trajnime. Programi për zhvillim të kapaciteteve i AKK-së është tërësisht i bazuar në nevojat e zyrtarëve të zgjedhur e të emëruar politikë në komuna”.