AKK DISKUTON ME MINISTRIN E FINANCAVE Z. BEDRI HAMZA – PROJEKTLIGJIN E FINACAVE TË PUSHTETIT LOKAL



By: Genc Namani

Comments: 0

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) sot ka mbajtur takimin e Këshillit të Kryetarëve, me pjesëmarrjen edhe të Ministri t të Financave (MF) z. Bedri Hamza, për të debatuar lidhur me Projektligjin për Financat Lokale.
Kryetari i AKK-së z. Agim Veliu, njoftoj të pranishmit se përmes mekanizmave të Asociacionit të Komunave për një periudhë të gjatë është ngritur si çështje, domosdoshmëria e ndryshimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal. Në vitet paraprake, në bashkëpunim me Kolegjiumin për Buxhet dhe Financa dhe me të gjitha strukturat e tjera të AKK-së është bërë identifikimi i mangësive në ligjin ekzistues dhe gjithashtu AKK ka zhvilluar analiza në bazë të cilave janë përcaktuar edhe fushat të cilat duhet të ndryshohen në Ligj.

Këtë vit Ministria e Financave është në proces të ndryshimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal dhe AKK-ja ka qenë e përfaqësuar në Grupin Punues të emëruar nga kjo Ministri. Rekomandimet e drejtuara nga ana e AKK-së janë inkorporuar në tërësi në versionin e Koncept Dokumentit final të miratuar nga Qeveria e Kosovës
Njëra ndër çështjet të cilat kanë kërkuar vëmendje të veçantë, ka qenë rishqyrtimi i të gjitha formulave të financimit që do të parashihen me ligj, duke theksuar se granti i përgjithshëm do të zvogëlohet nga 10 % në 9% për shkak të krijimit të grantit për shërbime sociale dhe se në vitet në vijim pagat ndaj zjarrfikësve dhe inspektorëve të tregut nuk do të bëhen përmes Komunave sepse kompetencat rreth këtyre shërbimeve janë centralizuar. Gjithashtu, kriteret bazë për ndarjen e granteve specifike për arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale janë ndryshuar dhe janë përshtatur me kërkesat e AKK-së. Si kriter kryesor të ndarja e grantit të arsimit do të jetë norma e mësimdhënësit e jo numri i nxënësve. Kriter në ndarjen e grantit të shëndetësisë, përveç numrit të pacientëve, në kosto do të llogaritet edhe analizat e pacientëve sepse analizat e pacientëve kanë krijuar kosto më të madhe në krahasim me vizitat e pacientëve. Pra, mund të përfundojmë që kriteret e parapara me projekt ligjin e ri do të jenë më të avancuara se sa në ligjin aktual.

Në fjalën e tij, Ministri i Financave z. Bedri Hamza – pasi falënderoj strukturat e AKK-së dhe përfaqësuesit e saj në grupin punues për bashkëpunim me MF, për dhënien e rekomandimeve në përmirësimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal i cili është i një rëndësie të veçantë për funksionimin e pushtetit lokal. Ai gjithashtu theksoi se është me shumë rëndësi krijimi i grantit specifik për shërbime sociale sipas sistemit të hapur të financimit njëjtë si për arsim dhe për shëndetësi, po ashtu, me këtë projektligj parashihet që të definohen më qartë kriteret për ndarjen e granteve të veçanta si dhe me këtë rast Qeveria e Republikës së Kosovës të aprovojë udhëzimet administrative të propozuara nga ministritë e linjës. Po ashtu Ministri Hamza theksoi se si rezultat i bartjes së buxhetit dhe numrit të punëtorëve nga niveli lokal në atë qendror për shërbimet e centralizuara, do të zvogëlohet granti i Përgjithshëm nga 10% në 9%, e ku ky zvogëlim do të ketë efekt neutral në buxhetin e komunave.

Pas diskutimeve dhe debatit, KËSHILLI I KRYETARËVE doli me qëndrimin që kërkesat e dala të merren parasysh nga Ministria e Financave gjatë finalizimit të këtij projekt ligji, si një bazë të mirëfilltë që burojnë nga vetë komunat si njëri nga ligjet më kryesore për komunat dhe funksionimin e duhur të tyre në shërbim të qytetarëve.