KRYETARI I AKK-së AGIM VELIU:  PROJEKT LIGJET E HARTUARA PA KOMUNAT DO TË KENË VËSHTIRËSI NË ZBATIMIN E TYRE



By: Genc Namani

Comments: 0

Në takimin e parë konsultativ për vitin 2019, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës është debatuar për zhvillimin ekonomik lokal që është kompetencë ekskluzive e komunave dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2019.

Duke folur në këtë takim Kryeministëri i Republikës së Kosovës z.Ramush Haradinaj foli rreth prioritizimit të Zhvillimit Ekonomik Lokal për Komunat e Kosovës. Ai tha se duke e ditur rëndësinë e diskutimit të kësaj teme me Komunat, ku zhvillimi ekonomik lokal është kompetencë ekskluzive e komunave, në cilësinë e Kryeministrit të vendit, dua që këtë temë t’a diskutojmë bashkërisht për të vendosur prioritetet dhe orientimet e vitit 2019, bashkërisht. Gjatë vitit 2018, Qeveria kishte ndërmarrë të gjitha veprimet për të krijuar bazën ligjore për zhvillimin e qëndrueshëm komunal; si dhe disajnimin e politikave për zhvillimin ekonomik lokal duke proceduar në Kuvend “Projektligjin për Dhënien e Pronës komunale në Shfrytëzim dhe këmbimin e saj”; si dhe duke miratuar “Strategjinë Qeveritare pesë vjeçare për Zhvillimin Ekonomik Lokal”, si një dokument udhërrëfyes për zhvillimin e qëndrueshëm lokal; rritjen e qëndrueshmërisë financiare të komunave; tërheqjen e investimeve të huaja; fuqizimin e ekonomisë lokale përmes investimit në kapitalin njerëzor si dhe shfrytëzimin e resurseve të komunave në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik lokal.

Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) z.Agim Veliu duke folur në këtë takim, në emër të Komunave të Republikës së Kosovës tha se këtu po flas në emër të AKK-së, mekanizëm ky që i përfaqëson dhe mbron interesat e komunave dhe më lejoni t’i ngris disa çështje e të cilat kanë të bëjnë me Zhvillimin Ekonomik Lokal.

Siç është theksuar edhe në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, Asociacioni i Komunave të Kosovës mirëpret miratimin në lexim të parë të Projekt Ligjit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Më duhet të theksoj që të gjitha rekomandimet e komunave janë inkorporuar në projekt ligjin final, falë bashkëpunimit të mirë me MAPL dhe me Komisionin Parlamentar për Vetëqeverisje Lokale dhe shpresojmë që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji situata rreth Zhvillimit Ekonomik Lokal do të ndryshojë pozitivisht. Amandamenitimi i këtij ligji ka qenë kërkesë e komunave sepse zbatimi i ligjit aktual ka qenë shumë i vështirë e çka është më e rëndësishme ka qenë shumë vështirë edhe joshja e investitorëve potencial për investime nëpër komuna.

Gjithashtu, ne si Bord i Asociacionit në takimin e djeshëm e kemi diskutuar edhe Strategjinë Legjislative për vitin 2019 ku i kemi evidentuar projekt ligjet në të cilat komunat e Kosovës përmes Asociacionit do të marrin pjesën në grupe punuese për hartimin e këtyre prjekt ligjeve. Nga 74 projekt ligje të cilat parashihen në Strategjinë legjislative, Asociacioni do të bëjë kërkesë që të marrë pjesë në hartimin apo amandamentimin e 21 projekt ligjeve. Disa nga këto projekt ligje do të kenë ndikim të drejpërdrejtë në zhvillimin ekonomik.

Asociacioni i Komunave vetëm se i ka dorëzuar rekomandimet sa i përket Ligjit për partneritet publiko privat dhe Ligjit për pyje e të cilat ligje kanë të bëjne direkt në zhvillimin ekonomik lokal. Të gjitha rekomandimet tona janë inkorporuar në këto dy projekt ligje, kjo është vërtetuar edhe në takimin e fundit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe besojmë që pas miratimit të tyre klima e investimeve në komuna do të rritet. Kërkesat tona janë që të decentralizohen procedurat për marrëdhënie kontraktuale për parteritet publiko privat dhe që pronat të cilat admnistrohen nga Agjencioni i Pyjeve e të cilat nuk janë duke u shfrytëzuar t’u kthehen komunave për t’u administruar apo t’i ipen në shfrytëzim për interes publik.

Përveç këtyre ligjeve, kërkojmë që sa më shpejt Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor të procedojë me hartimin e pesë (5) Udhëzimeve Administrative e që kanë të bëjnë me fillimin e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Duhet theksuar që ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje është aprovuar në fund të gushtit të viti 2018 dhe ende nuk ka filluar zbatimi i tij për shkak mungesës së këtyre udhëzimeve administrative.

Janë një numër i konsiderueshëm i projekt ligjeve të cilat parashihen në strategjinë legjislative për hartim e të cilat kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në Zhvillimin Ekonomik Lokal dhe pa përfshirjen e Asociacionit në hartimin e tyre, implementimi do të jetë shumë i vështirë. Njëri ndër ta është edhe Projekt ligji për financa Lokale, ku nëse ky projekt ligj hartohet pa pjesëmarrjen e Asociacionit, atëherë më duhet të theksoj që implementimi do të jetë i pamundur. Rekomandimet të cilat janë dhënë dhe që do të ipen në vazhdimësi në të ardhmen gjatë hartimit të këtij projekt ligji do të jenë shumë domethënëse për komuna.

Projekt ligje të tjera që do hartohen e do të kenë impakt shumë të madh në zhvillimin ekonomik lokal janë edhe Projekt ligji për pronën publike, projekt ligji për tokën ndërtimore, Projekt ligji për inspektime, Projekt ligji për zonat ekonomike, Projekt ligji për turizëm etj etj. Pra, ju lutemi që rekomandimet që vijnë nga komunat e Kosovës përmes Asociacionit të merren parasysh sepse problemet rreth Zhvillimit Ekonomik Lokal janë nëpër komunat tona.

Ne si Asociacion por edhe si komuna jemi në dijeni se vendimet për dhënien e pronave të administruara nga AKP-ja komunave të Kosovës janë në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe që të gjitha vendimet paraprake janë të pezulluara mirëpo kjo nuk mund ta pengojë Qeverinë që pronat e Administruara nga Agjencionet tjera shtetërore t’iu barten komunave në menaxhim apo në shfrytëzim afatgjatë.

Besojmë që një bashkëpunim edhe më i madh në mes Asociacionit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës do të rezultojë edhe me Zhvillim më të hovshëm Ekonomik Lokal – tha ndër të tjera kryetari i AKK-së z.Agim Veliu.

Në këtë takim kanë diskutuar edhe Kryetarët e Komunave për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik lokal.