KRYETARËT E KOMUNAVE DHE LIGJVËNËSIT DEBATOJNË PROJEKTLIGJIN PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS



By: Genc Namani

Comments: 0

 

Në kuadër të bashkëpunimit mes institucioneve lokale dhe atyre qendore, sot është mbajtur takimi i Këshillit të Kryetarëve të Komunave në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media e ku u diskutua projektligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Duke hapur këtë takim, kryetari i AKK-së z.Agim Veliu tha se “Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson lartë këtë takim mes Kryetarëve të Komunave dhe Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i cili në vete ngërthen bashkëpunimin institucional mes dy niveleve të qeverisjes në proceset e hartimit të akteve ligjore që do të ndikojnë drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve tanë.

Në këtë takim do të debatojmë lidhur me Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, pas kalimit në lexim të parë në Parlamentin e Kosovës dhe disa ndryshimeve që kanë ndodhur në këtë Projektligj.
Ndryshimet që kemi kërkuar si Asociacion i Komunave të Kosovës në këtë ligj kanë pasur vetëm një qëllim, që ndryshimet të jenë përmbajtësore në mënyrë që të ketë progres në zhvillimin ekonomik lokal dhe të ketë ndikim në uljen e papunësisë në nivel Kosove. Kjo asesi nuk duhet të nënkuptohet se jemi kundër ndonjë institucioni apo veprimtarie të tyre që inkorporon në vetë ky akt ligjor. Këtu kemi edhe kryetarët e komunave të cilët do të zbatojnë në praktikë këtë ligj por më lejoni fillimisht të paraqes disa nga shqetësimet tona fillestare.

E para, tek neni 11 – Negocimi i ofertave nga Kryetari i Komunës – nuk është tani në Projektligj. Kryetari i Komunës ka të drejtë pa filluar/zhvilluar procedurat paraprake vetëm të negocioj ofertat e paraqitura nga palët e interesuara dhe të paraqet propozimin final për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, për miratim përfundimtar në Kuvendin e Komunës.
Ky ka qenë rekomandimi i AKK-së, i cili ka qenë pjesë e projektligjit deri para dërgimit në Qeveri, por është hequr në momentet e fundit dhe projekligji është dërguar në Qeveri pa këtë nen, e që i ka ndryshuar komplet orientimin dhe frymën e projektligjit, pasi ne konsiderojmë se negociatat do të i japin mundësi shumë më të mëdha investitorëve potecial. Pa këtë nen, ligji nuk sjell asnjë ndryshim dhe as nuk i jep qasjen e duhur zhvillimit ekonomik të komunave, andaj kemi reaguar dhe kemi kërkuar kthimin e këtij neni në projektligj. Kemi biseduar me përfaqësues të Qeverisë dhe na u është thënë që ky është gabim teknik dhe AKK e ka pranuar këtë si të tillë.

E dyta, tek neni 20 – Dhënia në shfrytëzim e pronës së paluajtshme të komunës në raste të veçanta – tani që është në projektligj
Këtu tek pika 1.1. – Kur kërkesa për dhënien në shfrytëzim bëhet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, kërkesa duhet të jetë e adresuar nga titullari-udhëheqësi i institucionit përkatës. Por nuk ka specifikuar për cilat raste institucionet qendrore mund të bëjnë kërkesë të tillë, pa i respektuar procedurat e konkurimit, prandaj AKK-ja kërkon të specifikohet rasti dhe të përcaktohet qëllimi apo të hiqet krejtësisht.
Pastaj, tek neni 26 – E drejta e komunës për bartjen në pronësi të pronës së paluajtshme të administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit – tani që është në projektligj.
Tek pika 3.2. Deklaratën për mënyrën e kompensimit të pjesës së 20% të kapitalit pronësor dhe 5% të taksës menaxhuese dhe shpenzimeve të tjera administrative, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon që mbulimin e këtij kompensimi t’a merr për obligim Qeveria, e asesi të mos I’u mbetet barrë komunave pasi është një implikim buxhetor i madh për kapacitet financiare të komunave.

Të nderuar ligjvënës, këto janë vetëm disa nga pikat fillestare për të hapur debatin, dhe me ndihmën dhe propozimet edhe të Kryetarëve të Komunave besoj se do të mund të dalim me konkluza në mënyrë që ato të inkorporohen apo ndryshohen në Projektligj me qëllimin final që nga plotësim ndryshimet të shtyjmë tutje zhvillimin ekomonik loka – tha ndër të tjera kryetari Veliu i cili u kërkoi kryetarëve të komunave që diskutimet të jenë përmbajtësore dhe të adresojnë saktë nevojat dhe kërkesat e pushtetit lokal në Republikën e Kosovës.

Kryetarët e Komunave paraqitën problemet me të cilat ballafaqohen për dhënie të pronave në shfrytëzim dhe këmbim për investitorët që kanë shprehur interesim të investojnë. Për me tepër, problemet që shfaqen me pronat shoqërore janë të ndërlidhura edhe me Agjencia e Pronave të Kosovës dhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës që nuk marrin parasysh kërkesat nga Komunat edhe pse për ato prona është shfaqur interesim publik. Gjatë takimit u diskutuan në veçanti nenet 11, 20 dhe 26 pa përjashtuar dhe nenet tjera që ndërlidhen me zgjidhjen e problemeve, burokracisë së panevojshme duke pasur kujdes edhe për konfliktet e interesit gjatë dhënies së pronave në shfrytëzim apo këmbim.

Kryesia dhe Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ishin shumë konstruktiv dhe bashkëpunues duke kërkuar që të zhvillohen takime edhe në të ardhmen që ky ligj të i’u shërbej dhe ndihmoj Komunave që të realizojnë strategjitë e tyre për zhvillim ekonomik lokal dhe punësim për qytetarët të tyre. Gjithashtu ata kërkuan nga AKK që të hulmtojnë praktika të mira nga vendet e rajonit që gjatë hartimit dhe amandamentimit të ligjit të merren këto paraktika të mira.

Takimi mes Kryetarëve të Komunave dhe Anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media u konkludua që:

1. AKK të kontaktoj NALAS-in për të marrë praktikat e vendeve të rajonit lidhur me legjislaturën në fuqi për dhënien në shfrytëzim të Pronave të Paluajtshme .

2. Komunat të japin propozimet e tyre në formë të shkruar (ndryshimet e neneve) deri të mërkurën, me 3 tetor 2018, pasi që afati ligjor në mes dëgjimit të parë dhe të dytë është gjashtëdhjetë (60) ditë.

3. AKK të mbaj takime edhe me pale të tjera të interesit si Agjencia e Pronave të Kosovës (AKP), Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK) dhe Agjencia Kadastrale të Kosovës.